Pozicionet jashtë loje, arbitra robotë për Botërorin 2022

Nga A2 CNN
3 Korrik 2020, 15:09 | Futboll
Pozicionet jashtë loje, arbitra robotë për Botërorin 2022

FIFA synon të përdorë robotët si asistentë arbitra dhe planifikon që teknologjia e re të implementohet në kohë për Botërorin 2022.

Shefi i teknologjisë në Konfederatën Botërore të Futbollit, Johannes Holzmuller, paraqiti planin e tij për një sistem kompjuterik, i cili do të zëvendësojë asistentët në fushë, me një teknologji, e cila gjeneron automatikisht vijat për pozicionin jashtë loje.

Arbitri kryesor do të njoftohet nëpërmjet alarmit në orën e tij, njësoj si në rastin e teknologjisë së portës.

Sistemi do të jetë në gjendje të identifikojë edhe cila pjesë e trupit të lojtarit ndodhet në pozicion jashtë loje.

Teknologjia e re do të jetë aq precize, sa do të llogarisë edhe numrin e këmbës së futbollistëve. Prova e parë e robotëve asistentëve u krye në dhjetor, gjatë Botërorit të Klubeve në Katar, turne i cili u fitua nga Liverpool.

Holzmuller sqaroi se ideja e kësaj teknike do të evitojë debatet për situatat e ndryshme të pozicioneve jashtë loje, të shkaktuara pas disa vendimeve milimetrike, por edhe do të shpejtojë procesin, për të cilin aktualisht arbitri duhet të konsultohet me sistemin VAR.

Në gjysmën e dytë të këtij viti do të zhvillohen të tjera teste me robotët asistentë, ku synohet që risia teknologjike të jetë funksionale për Kupën e Botës, Katar 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos