Akuzat për vrasjen para zgjedhjeve në Elbasan, Bardhi: Berisha bën politikë me vdekjen, e pamoralshme

Nga A2 CNN
27 Maj 2022, 21:24 | Politikë
Akuzat për vrasjen para zgjedhjeve në Elbasan, Bardhi: Berisha

I ftuar në Intervistë me Merita Haklaj, Gazmend Bardhi foli në lidhje dhe me akuzat e fundit të ish-kryeministrit Berisha se së bashku me Tauland Ballën, ai mban përgjegjësi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Bardhi shpreh keqardhjen për transformimit të qëndrimit të Sali Berishës për këtë ngjarje të rëndë dhe e akuzoi ish-kryeministrin se ai ka bërë gjithmonë politikë me vdekjen, duke e quajtur këtë gjë të pamoralshme.

“Mbajtja qëndrim për atë ngjarje. Ndjej keqardhje për humbjen e jetës së një qytetari, por dhe për faktin që një tjetër person, babai i 4 fëmijëve qëndron në burg për këtë ngjarje. Kam bërë thirrje që kjo ngjarje të zbardhet. Uroj që dhe Berisha ta ketë thirrjen që ngjarja të hetohet. Keqardhje për transformimin e qëndrimit të Berishës. E kuptoj që ai ka një betejë me Bardhin sepse ai mendon ndryshe. Mund ta bëjë atë përgjegjës për çdo lloj gjëje.

Demokratët e dinë që nuk jam shoqëruar kurrë me grupe kriminale, i kam pasur ata përballë. Për atë ngjarje nuk ka përgjegjësi jo unë, por asnjë demokrat i Elbasanit, që Taulant Balla kishte si shtab elektoral një strukturë të mirëfilltë të krimit të organizuar. Ka deklarata të këtyre individëve që thonë që jemi pjesë e shtabit të Taulant Ballës. Unë kam bërë gjithçka për të mos pasur asnjë konflikt gjatë fushatës. Jam përpjekur të jem në ballë të betejës për të shmangur rrezikshmërinë.

Berisha e di mirë që individët që përfaqësonin PD në atë konflikt ishin njerëz që vinin nga radhët e policisë së shtetit, profesionistë. Ata njoftuan policinë dhe kur ka ndodhur ngjarja e rëndë aty ka qenë prezentë policia. Kjo ishte një porosi e lënë prerazi. I vetmi person i armatosur me armë ishte Arbër Paplekaj, i cili sot ndodhet përpara drejtësi. Mirëpo asnjë tjetër nga stafi i PD nuk ishte i armatosur, ndërkohë që përballë kishin një grup të strukturuar kriminal, me makina të blinduara. Nuk dua të dal në konkluzione. Çështja është në hetime paraprake. Ajo nuk po hetohet nga SPAK, kjo është një tjetër gënjeshtër e Berishës. Berisha bën politikë mbi vdekjen, e ka bërë gjithmonë, është e rëndë, jo e moralshme”, u shpreh Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos