Autoriteti i dosjeve, PS voton kandidatin e mbështetur nga Berisha, revoltohet Bardhi 

Nga A2 CNN
27 Maj 2022, 15:46 | Politikë
Autoriteti i dosjeve, PS voton kandidatin e mbështetur nga Berisha,

Zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Autoriteteve për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit shkaktoi debate në sallën e Komisionit Parlamentar për çështjet ligjore. Mazhoranca refuzoi të votonte kandidatin Besim Ndregjoni duke dhënë dritën jeshile për Simon Mirakën, i cili mes firmave mbështetëse kishte edhe atë të Sali Berishës. Kjo zgjedhje nervozoi Gazment Bardhin.  

“Ajo që ndodhi këtu para pesë minutash tregon babëzinë tuaj për të kapur çdo institucion. Keni bërë një betim ju që nuk votoni asnjë person që propozohet nga “non grata”, që propozohet nga Sali Berisha. Ju jeni të pafytyrë”, tha Bardhi.

“Lërini patetizmat. Kandidati që ju flisni ka mbështetjen edhe të grupit tuaj jo “non grata”. Kështu që ta kishit bërë vetë këtë verifikim përpara se sa të na bënit neve gjyqin këtu”, u shpreh Klotilda Busha.

Debati u transferua te raporti vjetor i Departamentit të Administratës Publike ku protagonist ishin sërish kryetarja e komisionit dhe Gazment Bardhi. Deputeti opozitar akuzoi DAP-in për punësime elektorale që ndikuan në zgjedhje, ndërsa për shumicën këto janë thjeshtë justifikime të humbjes. 

“Një numër i konsiderueshëm i punonjës të administratës publike kishin marrë titullin politik patronazhistë të PS-së dhe gjurmonin jetën private të qytetarëve të republikës së Shqipërisë”, tha Bardhi.

“Tre pyetje ishin pavarësisht se ishte një ekspoze se përse humbim zgjedhjet ne të PD-së”, reagoi Bushka.

Nga çështjet politike debati kaloi në akuza penale. “Në krah në krah. Por pra nga bandat tuaja. Shtabi i kryetarit të grupit parlamentar sot është i gjithi në hetim nga aksioni i fundit i SPAK”, u shpreh Bardhi.

“Asnjë rast nuk lini pa përdorur që të justifikoni humbjen. Sa për grupet kriminale, unë s’kam qenë ndonjë zonë ku më është vrarë njeri, kështu kujdes kur i përdor këto raste se je direkt në zonën tuaj”, tha Klotilda Bushka.

Komisioni i Ligjeve i dërgoi seancës plenare kandidaturat e Albert Nikollës dhe Simon Mirakës për anëtarë të Autoritetit të Dosjeve.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos