
Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” shtetasin Marash Arra i dyshuar fillimisht për vrasjen e kushëririt të tij, Lazër Arra në Shosh të Dukagjinit. Ndryshe Policia, Prokuroria ngriti vetëm akuzën për “moskallëzim krimi” ndaj tij.
Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndërsa pala mbrojtëse “detyrim paraqitje” dhe në fund Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë, duke bërë që Arra të lirohet nga paraburgimi.
I dyshuari ka mohuar që në fillim akuzën ndaj tij duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e kushëririt dhe se nuk ka dijeni se kush e ka vrarë. Në Gjykatë kanë mbërritur edhe përgjigjet për provat materiale dhe shtetasi Marash Arra nuk rezulton i përfshirë në asnjë përgjigje ekspertimi.
Viktima Lazër Arraj u gjet i vrarë mesditën e së hënës në fshatin Palaj të njësisë administrative Shosh në rrethin e Shkodrës. Në momentin e vrasjes, 55-vjeçari ishte duke transportuar me kafshë disa nga prodhimet e stinës për t’i dërguar në qytetin e Shkodrës, kur edhe u qëllua në një pritë dy herë me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend. E kaluara e të ndjerit nuk është problematike, çka i bën akoma më të mistershme motivet e këtij ekzekutimi. (A2 Televizion)