
Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Kristjan Cenaj, i arrestuar më 10 tetor për vrasjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj.
Seanca gjyqësore, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta dhe të pranishëm jashtë ambienteve të gjykatës kanë qenë dhe familjar të autorit të dyshuar.
Kristjan Cenaj u arrestua sapo zbriti në aeroportin e Rinasit pasi po vinte nga Italia.
Zbardhja e ngjarjes është bërë pasi policia ka zbuluar eshtrat e viktimës, të identifikuar si Mariglen Gjonaj, 16 vjeçar në kohën kur është kryer krimi. I mituri ishte denoncuar si i zhdukur nga familja në vitin 2015. Policia tha se më 3 prill të këtij viti janë gjetur pranë hidrovorit në fshatin Fushëkuqe të Kurbinit eshtrat që pas analizave rezultuan se ishin të të miturit.
Pas rifillimit të hetimeve, u bë e mundur edhe identifikimi i autorit të ngjarjes, Kristian Cenaj, 30 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Kurbin. I cili u arrestua një ditë më parë. Sipas autoriteteve, Cenaj e ka vrarë adoleshentin për t’i marrë orën e markës Rolex, varësen floririt dhe se nde të tjera ai ka pasur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur. (A2 Televizion)