
Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 14 vite burg për Griseldo Kusin për akuzën e vrasjes së Indrit Çelës, teknikut të kondicionerëve që po punonte në pronën e tyre, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019. Për shkak të gjykimit të shkurtuar të çështjes, pretenca u zvogëlua nga 21, në 14 vite burg.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim Griseldo Kusi dhe vëllai i tij, Alabano, ndërsa janë arrestuar babai dhe xhaxhai i tyre, Bujar dhe Lulzim Kusi.
Xhaxhai dyshohet se i ka ndihmuar të largohen dhe t’i shpëtojnë Policisë, ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij në Vaqar u gjetën një armë kallashnikov dhe municione.
Në shtator 2019, policia shpalli në kërkim ndërkombëtar dy vëllezërit Kusi. Hetuesit kanë gjurmuar antenat telefonike të tyre në qytetin e Korçës dhe më pas asnjë shenjë e tyre. Dyshohet se të rinjtë janë larguar ilegalisht drejt Greqisë.
Indrit Çelaj u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke kryer punime në tualetin e katit të parë për montimin e kondicionerit. Dëshmitë i treguan prokurorisë se Griseldo Kusi i kërkoi llogari Çelajt për një vrimë që po hapte në mur, e më pas e qëlloi me pistoletë.
Nga hetimet doli se pas vrasjes viktima ishte qëlluar me sende të forta dhe disa herë në kokë, kjo për të inskenuar një rënie aksidentale të tij nga shkallët. Por, gjithçka u mbyll kur trupi i pajetë i 26-vjeçarit shkoi në Spitalin e Traumës dhe u fut në skaner. (A2 Televizion)