Përkeqësohet situata në Kaliforni, aktivizohet alarmi maksimal për zjarret

Nga A2 CNN
30 Tetor 2019, 15:05 | Bota
Përkeqësohet situata në Kaliforni, aktivizohet alarmi maksimal

Mbi 5 mijë zjarrfikës po luftojnë me 10 vatrat më të mëdha të zjarrit që po shkatërrojnë “Shtetin e Artë”. Në jugun e Kalifornisë është shpallur për herë të parë alarmi i flamurit të kuq ekstrem nga Shërbimi Kombëtar i Motit. “Po përjetojmë erëra shumë të forta, që nxitën shpalljen e gjendjes së emergjencës në të gjithë vendin”, tha Gavin Newsom, Guvernator i Kalifornisë.

Alarmi u shpall në orët e para të së mërkurës dhe do të qëndrojë në fuqi për disa kohë. Zjarri i fuqishëm ka shkatërruar qindra hektarë tokë dhe pyje, ndërsa niveli i ndotjes është rritur ndjeshëm. Zyrtarët paralajmërojnë se beteja me flakët do shumë të përfundojë. Parashikohen erëra deri në 112 kilometra në orë, ndërsa mungesa e lagështisë është një recetë për katastrofë.

“Nevojitet vetëm një shkëndijë për të nisur një tjetër zjarr”, tha Ralph Terrazas, drejtues i Departamentit Zjarrfikës. Të evakuarit janë mbi 200 mijë, ndërsa dëmet materiale të pallogaritshme. “Konfirmojmë shkatërrimin e 189 ndërtesave, 86 prej tyre ishin shtëpi banimi”, tha Jonathan Cox, zjarrfikës. Moti nuk favorizon shuarjen e  flakëve, ndërsa meteorologët nuk parashikojnë reshje shiu në 7 apo 10 ditët e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos