
Shqipëria nuk ka raste të konfirmuara zyrtarisht me variantin Omicron. Nga të dhënat e deritanishme ekspertët nuk kanë sinjale për qarkullimin e këtij mutacioni në vendin tonë. Megjithatë Instituti i Shëndetit Publik ka rritur gatishmërinë, pasi rreziku i hyrjes është i madh për shkak të pranisë së tij në Italinë fqinje dhe në vendet e tjera të Europës.
“Zyrtarisht nuk kemi konfirmuar Omicron dhe as kemi dyshime, por rreziku është i madh dhe prezent. Jemi duke marrë masat dhe duke rritur vigjilencës përmes disa metodikave të PCR, zbulimit molekular të virusit për të parë nëse kemi dyshime pastaj vërtetohen me sekuencat gjenetike”.
Sipas të dhënave të deritanishme shenjat klinike të variantit Omicron janë të ngjashme me mutacionet e tjera. Silva Bino, shefe për sëmundjet infektive në ISHP sqaron se përse ky mutacion po alarmon botën edhe pse të dhënat nuk janë të plota.
“Vërejmë që kemi të dhëna klinike të lehta, nuk kemi të rritje të rëndësisë së sëmundjes. Natyrisht që me shtimin e rasteve mund të kemi edhe forma të rënda të sëmundjes kemi të dhëna për transmetueshmëri të lartë. Është për të parë nëse e mënjanon imunitetin natyror dhe shkallën e riinfeksioneve është tepër e lartë apo jo dhe e rëndësishëm është nëse virusi mënjanon përgjigjen imunitare ndaj vaksinës që deri tani ne nuk kemi të dhëna”.
E ndërsa shumë shtete të botës po rikthejnë kufizimet, Bino ngre shqetësimin për mosrespektimin e masave në Shqipëri. Ekspertja e komitetit teknik i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, qytetarëve dhe bizneseve të zbatojnë anti-Covid pasi ky dimër do të jetë i vështirë.
“Orari i përcaktuar 23:00-06:00 duhet të zbatohet. Klubet e natës, grumbullimet nuk duhet të funksionojnë. Maskat duhet të mbahen në mjedise të mbyllura dhe në autobusë. Duhet të ketë kontrolle të rrepta të zbatimit të këtyre masave”.
Bino thekson rëndësinë e vaksinimit veçanërisht në këtë periudhë. Ekspertja u bën thirrje qytetarëve të marrin të dyja dozat anti-Covid dhe për ata që e kane kryer këtë proces të marrin edhe dozën përforcuese. (A2 Televizion)