“Bashkove zemra, do të doja shumë të të ngjaj!”, Princ Leka kujton babain në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2021, 14:52 | Aktualitet

Në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta të Princit Leka, familajrët kanë kujtuar me mall djalin e vetëm të Mbretit Zog.

Me një status në rrjetet sociale, djali i tij, Princi Leka II, kujton momente të ndryshme të familjes mbretërore. “Në këto vite jeta më ka sjellë momente shumë të gëzuara, të cilat do të kishin dhënë lumturi të madhe, si edhe momente të vështira, ku forca dhe kurajë jote më kanë munguar. Kur u bëra baba dhe mora në krahë për herë të parë Geraldinën e vogël, ju pashë ty dhe mamin brenda zemrës sime! Sa do doja t’iu kisha pranë ato çaste! Ajo do ishte gëzimi juaj më i madh, është aq e dashur!”, shkruan Leka.

“10 vite më parë të përcollëm në atë botë tjetër ku të gjithë takohemi një ditë, e unë lutem që së bashku me mamin të jeni në paqen e amshuar! Babi, kur ti mbylle sytë e na fike shpirtin, ishin shqiptarët e tu ata që na dhanë ngushëllim, na mbushën me dashuri në ato ditë aq të dhimbshme. Erdhën nga të gjitha trojet për të të përcjellë e nderuar ty, njeriun që besonin, Mbretin e tyre. Ti arrite të bashkosh shumë zemra, solle shpresë në kohë shumë të vështira, fitove respektin dhe besimin e shumë njerëzve.

Kur mbështetësit dhe dashamirësit e Familjes Mbretërore të kujtojnë ty, flasin për një burrë me karakter të fortë, me urtësi dhe vlerat më të vyera shqiptare. Do doja shumë të të ngjaj, të ngjall atë besim dhe shpresë, pasi më ke trashëguar shumë dashuri për këtë vend, i shtrenjti babai im! Hera e fundit kur ti pamë sytë e hapur e të përlotur ishte 28 nëntori, ku kërkove flamurin në dritaren e dhomës së spitalit. Ai flamur që e deshe aq shumë!”

Edhe bashkëshortja e Pricit Leka, Elia Zaharia, e kujtoi përmes një postimi në rrjetet sociale. “10 vite mall… Prezenca jote është kudo, kujtimi yt është aq i gjallë! Luaj me Geraldinën dhe mendoj sa dashuri do të të kishte dhënë! Në kolltukun ku uleshe ti bien çdo ditë rrezet e para të mëngjesit, e bashkë me to hyn edhe energjia jote pajtuese, qetësuese, harmonia që të rrethonte”, shkruan ajo.

“Pak njerëz kam njohur që të kenë atë aureolë aq të shndritshme. Ndonjëherë të shoh në sytë e Lekit, siç e thërrisje ti me përkëdheli, e më ngjall gëzim e mall njëherësh. Ne u kuptuam menjëherë! Momentet kur më tregoje për jetën tënde, për Mbretëreshën Suzanë dhe dashurinë tuaj aq të fortë, më vijnë në mendje të plota, sikur të ishin dje… Më ka marrë malli të ta puth dorën… Faleminderit që pasi i mbylle sytë, erdhe e më qetësove në ëndërr! Unë e di brenda në zemër se je mirë, në përqafim të përjetshëm me mbretëreshën tënde...”.

Leka Zogu l u nda nga jeta 10 vite më parë, më 30 nëntor 2011. Ishte djali i vetëm i Mbretit Zogu I të shqiptarëve dhe i Mbretëreshës Geraldina Apponyi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos