“Aleanca të fshehta e publike”, Basha: Kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2021, 18:14 | Politikë
“Aleanca të fshehta e publike”, Basha: Kundërshtarët

Në fjalën e tij në seancën e kësaj të hëne në kuvend, kreu i PD, Lulzim Basha, u shpreh se "kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth".

"Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë çdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare.
Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle.
I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër.

Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë.
Prandaj kundërshtarët e vetingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth
Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën", tha Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos