
Kriza brenda Bashkimit Demokratik për Integrim nuk po zgjidhet. Përplasjet në distancë mes ministrave dhe anëtarëve të “Grupit të Zjarrit” nuk ndalen, por po bëhen më të ashpra. Nënkryetari i partisë shqiptare në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, reagoi furishëm për një video ku shihet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke kënduar, gjë e cila u lexua si një qëndrim ndaj pakënaqësive.
Mexhiti thotë se “është keqpërdorim i paturpshëm i figurës së tij” dhe pretendon se e gjitha po bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e vërteta.
“Të filmosh Ali Ahmetin dhe t’i ruash këto video për t’i shfrytëzuar kur të leverdis ty është jo korrekte dhe duket se nuk është hera e parë që po ndodh. BDI patjetër duhet të çlirohet nga uzurpatorët, mercenarët dhe të paaftit!”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI.
Mexhiti më herët, gjatë një takimi me qytetarët në Studeniçan, porositi Ali Ahmetin në emër të “Grupit të Zjarrit” që “të mos djegë të gjithë jorganin për një plesht”, një metaforë e përdorur për kërkesën e tij për zëvendësimin e ministrave aktual të BDI, për shkak të dështimeve dhe sepse i plotësojnë kushtet për t'u larguar. Mexhiti theksoi mbështetje për Ali Ahmetin, por shprehu dhe zhgënjimin që nuk adresohen shqetësimet e një grupi jo të vogël njerëzish, shumica anëtarë të kryesisë së partisë shqiptare. Nga BDI nuk ka ardhur asnjë reagim zyrtar për këtë zhvillim, por kjo video e publikuar në rrjete sociale, fillimisht nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grupi, është kuptuar si një reagim i mundshëm. (A2 Televizion)