Alibeaj: Shfaqja e simboleve të komunizmit në koncert, jo e rastësishme

Nga A2 CNN
29 Gusht 2022, 11:44 | Politikë
Alibeaj: Shfaqja e simboleve të komunizmit në koncert, jo e

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se “shfaqja e simboleve të komunizmit nuk është diçka e rastësishme në një vend që ka vuajtur gjatë nën diktaturën e instaluar nga komunistët”, duke iu referuar një flamuri shqiptar me yll të shfaqur në festivalin “Sunny Hill”, në Tiranë.

“Mediat kanë publikuar sot shfaqjen e simboleve të komunizmit gjatë festivalit “Sunny Hill” në Tiranë. Është për të ardhur keq që asnjë nga organizatorët, përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë nuk kanë reaguar ende për këtë akt të paprecedentë. Shfaqja e simboleve të komunizmit nuk është diçka e rastësishme në një vend që ka vuajtur gjatë nën diktaturën e instaluar nga komunistët. Herë pas herë nostalgjikë dhe jo vetëm, shfaqen me simbolet e diktaturës duke fyer kujtimin, vuajtjet dhe sakrificat e mijëra shqiptarëve. Ndaj, PD-ja ka këmbëngulur gjithmonë se dekomunistizimi është një proces që duhet marrë seriozisht dhe trajtuar me respektin që meriton një komb që ka vuajtur kaq shumë dhe gjatë diktaturën komuniste”, shkruan Alibeaj në rrjetet sociale.

“Për këtë arsye, ne depozituam në Kuvend projektligjin tonë që parashikon dhe çështjen e simboleve të diktaturës dhe do depozitojmë atë për lustracionin. Lustracioni dhe dekomunistizimi janë procese që ecin bashkë dhe të ndara nga njëra-tjetra, ato nuk mund të funksionojnë. Shoqëria shqiptare ka nevojë për transparencë dhe seriozitet në trajtimin e një çështje që s'mund të jetë kurrsesi armë në duart e atyre që e përdorin për arsyet meskine të politikës së ditës”, shton Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos