
Ilir Alimehmeti është një nga epidemiologët që ka nisur diskutimet me studentët për vaksinimin para nisjes së vitit akademik. Ndryshe nga studentët e mjekësisë që nuk kanë hezituar për të marrë dozat anti-Covid, Alimehmeti pranon ngurimin e të rinjve në universitetet e tjera për shkak të mungesës së informacionit, por dhe frikës nga efektet afatgjata.
Për një javë, ekspertët e Shëndetësisë me mbështetjen e OBSH-së do të zhvillojnë bisedime me studentët në auditorë në lidhje me vaksinën anti-Covid.
Por Alimehmeti rekomandon që për hyrjen në universitete krahas certifikatës së vaksinimit duhet të njihet edhe ajo e antitrupave për ata të rinj që kanë kaluar sëmundjen.
Ndërsa në lidhje me situatën epidemiologjike, Alimehmeti thotë se vala e infektimeve ka rënë dhe kjo pritet të reflektohet pas disa javësh edhe në spitale. Ndërsa për muajt e dimrit eksperti nuk parashikon valë të forta, por një situatë më të qëndrueshme se ato që kemi kaluar.
Ditët e fundit janë ulur infektimet ditore nga Covid -19, ndërsa fushata e vaksinimit është përqëndruar në universitete.
Pas disa ditësh, nis zyrtarisht viti akademik dhe studentët e pavaksinuar rrezikojnë të humbin shkollën. (A2 Televizion)