
Ambasada Amerikane në vendin tonë ka deklaruar se “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
“Këto standarde ligjzbatimi të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj”, shton Ambasada Amerikane në komunikatën e saj.
Ky reagim vjen pasi shtatë oficerë kallëzuan në Prokurorinë e Tiranës anëtarët e komisionit përzgjedhës të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të kallëzuar prej tyre janë kreu i SPAK, Arben Kraja, drejtuesja e BKH, Aida Hajnaj, Dritan Prençi, Enkelejda Millonai dhe Vladimir Mara, të gjithë pjesë e anëtarëve të komisionit përzgjedhës. Sipas oficerëve të skualifikuar në fazën e testimeve fizike, të kallëzuarit kanë shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumente. (A2 Televizion)