Ambasadori britanik në A2 CNN: Korrupsioni duhet luftuar në shumë nivele, Shqipëria ka çështje specifike

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 21:21 | Politikë
Ambasadori britanik në A2 CNN: Korrupsioni duhet luftuar në shumë

“Shqetësimi ynë është se korrupsioni ka krijuar lidhje me krimin e organizuar që tani është dukuri botërore. Fatkeqësisht, grupe ndërkombëtare të krimit po ndikojnë shumë çështje, por gjithashtu bëhen pjesë e korrupsionit dhe e nxitin atë”.

Kështu u shpreh në “Intervistë me Merita Haklaj” ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, teksa foli për korrupsioni. Për Shqipërinë, ai tha se ka çështje specifike.

“Sigurisht, në Shqipëri ka çështje specifike. Vetëm 30 vite kanë kaluar nga rënia e komunizmit dhe Shqipëria ka kaluar përmes një trajektoreje zhvillimi nga ana ekonomike dhe demokratike. Shohim që është pjesë e çështjeve të lidhura të demokratizimit dhe të sigurisë, dhe vetëm po të luftojmë krimin e korrupsionin duke bashkëpunuar ngushtë, dhe me partnerët ndërkombëtarë që e mbështesin Shqipërinë, mund t'ia dalim. Por duhet luftuar në shumë nivele.

Së pari, demokracia është thelbësore. Demokracia parlamentare dhe institucionet e forta. Së dyti, rendi ligjor, shteti i së drejtës, si dhe institucionet e tjera të llogaridhënies. Qoftë për lirinë e medias, qoftë për forcimin e shoqërisë. I shohim të gjitha si pjesë të lidhura me llogaridhënien. Sigurisht, institucionet e forta do të kenë sukses vetëm nëse ka praktika biznesi e rregullore të mira, për sa i përket ekonomisë. Këtë e kemi diskutuar me qeverinë në Shqipëri se si mund të punojmë jo vetëm për krimin e korrupsionin në politikë, por edhe në ekonomi, që zhvillimi ekonomik i Shqipërisë të jetë i drejtë. Por do të jetë aq i fortë sa do të duam ne të jetë vetëm nëse këto çështje luftohen siç duhen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos