
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, në “Intervistë me Merita Haklajn” u shpreh se trimëria e ukrainasve bëri që plani i Vladimir Putin të dështojë.
Volodymyr Shukrov u shpreh se ushtria ukrainase hap pas hapi, po ndryshon konceptin e luftës, dhe është e vendosur për fitore.
Pjesë nga intervista
Merita Haklaj: Ai që rreth dy muaj më parë, nisi si një operacion special, të cilin Putin shpresonte ta finalizonte shpejt, vijon edhe sot si një luftë e plotë e fokusuar tanimë në lindje të Ukrainës. Edhe pse mburrej me ushtrinë, si një prej aseteve kyçe, Moska dështoi të merrte kryeqytetin dhe nuk po shënon përparim të rëndësishëm as në frontin lindor. Sot flitet madje për një fazë të re, ku ushtria e Kievit është në kundërsulm. Si u arrit më këtë pikë? Kujt i dedikohet kjo përmbysje e trajektores si një lufte që në fillim projektohej me fund të përcaktuar?
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov: Ju e dini, se lidershipi rus, duke nisur luftën kundër Ukrainës, planifikonte së operacioni do të përfundonte për tre ditë. Por nuk e kanë arritur këtë dhe filloi një luftë të shkallës së plot të Rusisë kundër Ukrainës. Lidershipi rus, nuk arriti këtë, fal trimërisë dhe gatishmërisë për të luftuar nga populli ukrainas, të ushtrisë ukrainase. Akoma sot, shtabet e ushtrisë kanë radhët e mëdha, ku po drejtohen njerëz për të ofruar mbështetjen e tyre dhe për të fituar.
Merita Haklaj: Në 80 ditët e luftës së paprovokuar, dëshmuam skena dramatike shkatërrimi dhe humbje të jetëve të pafajshme. Por, ajo që po shohim atje është gjithashtu historia e një popullit të guximshëm, heroik dhe frymëzues që lufton në emër të lirisë. Nga ana tjetër është ushtria ruse; që sipas ekspertëve, është gjithmonë e më e demoralizuar, e paorganizuar, me radhë të gjatë disfatash e mungesë fitoresh të dëshiruara. E megjithatë, Rusia duket se nuk ka ndërmend të ndalet, dhe lufta parashikohet të zgjasë. Ju si e shihni vijueshmërinë e konfliktit dhe si do të mundet Ukraina ta mbajë të gjallë rezistencën dhe te ndalë luftën?
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov: Ukraina sot po merr një ndihmë serioze, në aspektin e armatimit. Vendimi i SHBA-së, për sa i përket Lend-Lease, me 9 maj dhe vendimi i pardjeshëm të Senatit të Përfaqësuesve të SHBA, mbi miratimin e paketës së ndihmës, me vlerë 40 mld dollar, do të japi një mbështetje Ukrainës, në radhë të parë edhe për armatimin. Mendoj se çështje aktualisht, është tek fakti, se ushtria ukrainase hap pas hapi, po ndryshon konceptin e luftës, dhe është e vendosur për fitoren dhe për rinovimin e të gjithë territorit të Ukrainës. Sigurisht, kontakti diplomatik i negociatave vazhdon. Ky kontakt është më shumë i fokusuar sot mbi uzinën Azov dhe mbi çështjen e çlirimit nga atje personave, të cilët ndodhen ende atje.
Merita Haklaj: A mendoni se do te jetë e mundur një zgjidhje diplomatike e konfliktit. A e do Rusia vërtet diçka të tillë, dhe deri ku mund të arrinte Kievi me lëshimet për të siguruar një marrëveshje paqeje?
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov: E dini, si diplomat, kam besuar dhe vazhdoj të besoj në një zgjidhje diplomatike të çdo lloj problemi. Por realiteti i sotëm, dikton kushtet e tij. Dua të them, se negociatat diplomatike, vendime diplomatike janë, në mënyrë të konsiderueshme, të diskredituara. Pasi ushtria ruse ka kryer krime të tmerrshme, krime të luftës kundër popullsisë civile. Në të njëjtën kohë, dua të them, se kontakti diplomatik vazhdon, grupet e eksperteve nga të 2-ja palët, po vazhdojnë negociata onlinë. Por aktualisht, janë të fokusuara tek përpjekjet për të nxjerrë ushtarwt e lënduar të Azovit, nga Azovstal, pasi situata atje, për sa i përket ilaçeve, ushqimit, ndihmës humanitare, situata humanitare ndodhet përtej kufijve të imagjinatës reale.
Ju me siguri e dini se Republika e Turqisë i ka propozuar Rusisë që të nxjerrë me anije mbrojtësit e Ukrainës nga Uzina e Azovstal. Federate ruse e ka refuzuar këtë propozim të Turqisë dhe në këtë drejtim ka deklaruar se, ose mbrojtësit e Ukrainës duhet të dorëzojnë armët, ose do të ekzekutohen të gjithë. Pra, procesi i negociatave mbetet shumë i vështirë, por shpresa vazhdon të mbetet e gjallë. (A2 Televizion)