
Autoritetet e Ajovës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mbyllur një plazh për shkak të një infeksioni të pazakontë të trurit të një turisti, të shkaktuar nga ameba Naegleria fowleri.
E njohur si “ameba trungrënëse”, ajo është një amebë mikroskopike njëqelizore që mund të shkaktojë një infeksion të trurit të njohur si meningoencefaliti primar amebik. Është një organizëm që zakonisht gjendet në ujëra të ngrohtë, si liqene, lumenj dhe pellgje. Megjithatë, autoritetet këmbëngulin se është një infeksion shumë i rrallë, pasi që nga viti 1962, në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar vetëm 154 raste.
Në të njëjtën kohë, ata theksojnë se si ndodh infeksioni: “Mund të ndodhë nëse uji që përmban ameba hyn në trup përmes hundës. Ameba Naegleria fowleri ngjitet më pas përmes hundës në tru, ku shkatërron indet e trurit”.
Në raport thuhet se në asnjë rast infeksioni nuk transmetohet nga një person te tjetri dhe gjithashtu nuk ndodh nga gëlltitja e ujit të kontaminuar.
Simptomat më të shpeshta të personave të infektuar janë dhimbje koke intensive, ethe, marrje mendsh, të vjella dhe ngurtësim i qafës. Nga ana tjetër, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Shteteve të Bashkuara (CDC) garanton se infeksioni mund të ndodhë nga uji i pishinës me klor të pamjaftueshëm, nëse futet përmes hundës. (A2 Televizion)