
Në Komisionin e Ligjeve socialistët njoftuan se kishin depozituar disa amendamente të tjera për Kodin Zgjedhor, të natyrës teknike që rregullonin kryesisht gabime gjuhësore të nismave të propozuara.
Por në draftin që A2 disponon, ndryshimet nuk janë vetëm teknike. Sipas tyre, i jepet e drejta personave 100 vjeç e më shumë të votojnë. Kjo e drejtë i jepet dhe personave të shpallur me një vendim të formës së prerë, të pazotë për të vepruar.
Por kush quhet i tillë juridikisht?
“Gjithmonë lidhet me qenien i paaftë mendërisht për të kuptuar pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të tij dhe heqja e zotësisë për të vepruar nënkupton që ai nuk mund të bëjë asgjë vetë. Juridikisht ai person nuk ekziston në kuptimin e qenies subjekt i së drejtës dhe të gjithë të drejtat që kanë të bëjnë me jetesën e tij i ushtron përmes kujdestarit. Sigurisht e drejta për të votuar nuk është një e drejtë që mund të ushtrohet përmes personave të tretë”, sqaron juristi Jordan Daci.
Përfaqësuesit e mazhorancës nuk e sqarojnë arsyen e këtij ndryshimi. Por ndalesa për këtë kategori ndodhet dhe në nenin 45 të Kushtetutës, e për t’i rikthyer të drejtën e votës duhet ndryshuar ligji themeltar.
Në rekomandimet e fundit, ODIHR e konsideronte shkelje të së drejtave të njeriut ndalesën për personat me aftësi të kufizuar mendore, e cila duhej rishikuar. (A2 Televizion)