
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit vendimin për 1000 mësues shtesë në sistemin arsimor për të plotësuar nevojat në rast se kolegët e tyre rezultojnë të prekur me Covid gjatë pandemisë.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi e ndau këtë lajm me drejtuesit rajonalë të arsimit të cilëve iu kërkoi më shumë përkushtim dhe vëmendje për respektimin e masave antiCovid.
“Me këtë lajm e nisa sot takimin me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave arsimore vendore, me të cilët diskutuam mbi mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe zgjidhjen e shqetësimeve të shfaqura gjatë kësaj periudhe.
Në këtë kuadër, i falënderova për përballimin me sukses të nisjes së vitit të ri shkollor dhe kërkova që akoma me më tepër përkushtim të mbajnë në vëmendje maksimale respektimin e masave anti-COVID në çdo institucion arsimor, si dhe të shtojnë përpjekjet dhe inspektimet në terren në mënyrë që të garantohet se rregullat zbatohen nga të gjithë.
Sa më rigorozë që të jemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër, dhe njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor”, shkruan ministrja Kushi. (A2 Televizion)