Amendamenti me 15 kushte, Kashahu: Pa u plotësuar, nuk zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare

Nga A2 CNN
19 Qershor 2020, 20:49 | Politikë
Amendamenti me 15 kushte, Kashahu: Pa u plotësuar, nuk zhvillohet

Arben Kashahu, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se Parlamenti Evropian (PE) ka përdorur një gjuhë politike më të ashpër dhe jo të lëmuar si herët e tjera.

Parlamenti Europian miratoi mbrëmjen e së enjtes amendamentin e grupit të Partive Popullore Europiane, që thekson 15 kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria përpara se të ulet në tryezën e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.  

“Ka theksuar plotësimin e 15 kushteve dhe nëse nuk plotësohen, nuk do të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare. Dua të theksoj se nëse pas mbledhjes së Këshillit në mars dhe vendimit të hapjes së negociatave me Shqipërinë me 15 kushte, kishte dyshime nëse ishin 5 kushte për zhvillimin e konferencës së parë dhe 10 për zhvillimin e së dytës, PE-ja e ka lexuar këtë vendimmarrje si 15 kushte për zhvillimin e konferencës së parë. Pa u plotësuar, negociatat për vendin tonë nuk do të hapen”, tha Kashahu.

“Nuk ka asnjë ekuivok këtu, është e qartë. Është akuzuar BE-ja se ka probleme të brendshme dhe prandaj nuk po avancojmë ne, por në fakt ka dy gjëra që nuk na lejojnë: 15 kushtet që duhen plotësuar dhe qeveria që mohon këto kushte”, shtoi Kashahu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos