Amerikani i arrestuar në Venezuelë pranon operacionin për të rrëzuar Maduron

Nga A2 CNN
7 Maj 2020, 08:44 | Bota

Televizioni kombëtar në Venezuelë shfaqi një video të një shtetasi amerikan i cili pranon komplotin për të rrëzuar nga pushteti presidentin Nicolas Maduro dhe dërgimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Personi që shfaqet në video quhet Luke Denman dhe është një nga të 13-të të arrestuarit, për të cilët Venezuela thotë se ishin mercenarë, sulmi i armatosur i të cilëve dështoi.

Nicolas Maduro, shpesh herë, e ka akuzuar presidentin Donald Trump se po tenton të pushtojë vendin dhe ta rrëzojë atë nga pushtetit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, më herët gjatë kësaj jave mohoi përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë ngjarje. Ndërsa Sekretari i Shtetit, Pompeo u shpreh se qeveria amerikane do të bëjë gjithçka për kthimin e amerikanëve të arrestuar nga autoritetet venezueliane.

Në videon e shfaqur të mërkurën, 34-vjeçari Denman shpjegon se ishte punësuar për të stërvitur venezuelianë në Kolumbi, përpara se të ktheheshin në Karakas dhe të merrnin kontrollin e një aeroporti për të nxjerrë Maduron nga vendi.

“Unë po ndihmoja popullin e Venezuelës të merrte kontrollin e vendit”, deklaron Denman, një ish-anëtar i forcave speciale.

Ai tregon se së bashku me Airan Berry ishin kontraktuar nga Jordan Goudreau, një ushtarak veteran, që drejton firmën me bazë në Florida, Silvercorp.

Venezuela deklaron se do të kërkojë ekstradimin e zotit Goudreau, i cili ka pranuar se është i përfshirë në këtë operacion.

Sipas presidentit Maduro, Silvercorp ka nënshkruar një kontratë me liderin e opozitës Juan Guaido, një politikan i cili shihet nga SHBA-ja dhe shumë vende të tjera të Evropës si lideri legjitim i Venezuelës.

“Donald Trump është shefi direkt i kësaj ndërhyrje”, deklaroi Maduro pas shfaqjes së videos së Luke Denman. Ai premtoi se të gjithë amerikanët e përfshirë në këtë ngjarje do të kenë një gjykim të drejtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos