
Qeveria duhet të dëgjojë ndërkombëtarët dhe të tërhiqet nga amnistia fiskale. Ishte kjo thirrja e Ilir Metës ndaj ekzekutivit që të paktën verbalisht pohon se nuk ka në plan të bëjë hapa pas sa i përket nismës së saj të kontestuar. Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, kreu i Partisë së Lirisë u pyet edhe për procesin zgjedhor të vendoreve 2023 ku ripërsëriti bindjen për fitoren e opozitës.
Katërt votat e Partisë së Lirisë në Parlament do të shkojnë kundër amnistisë fiskale nëse qeveria shkon drejt miratimit të saj. Nga selia e tij, Ilir Meta e cilësoi këtë nismë si korruptive. “U tha qartë edhe nga përfaqësuesit e FMN se nuk mund të konsiderohet tjetër veç se një kartë për daljen nga burgu, pra nga ndjekja penal, të gjithë shmangësve të mëdhenj të taksave. Sepse synon dhënien e imunitetit efektiv nga ndjekja penaleve dhe inspektimi i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit”, tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë u pyet edhe për procesin elektoral të zgjedhjeve vendore i cili tashmë ka trokitur në dyert e selive i cili shprehu bindjen për fitoren e opozitës. “Edi Rama e di shumë mirë se mbi 80% e Shqipërisë është duke zier nga padurimi për ta shporrur një herë e mirë atë dhe po kështu ai e di shumë mirë se nëse ka një forcë politike ku duart e tij priten shumë shpejt është Partia e Lirisë se tek të tjerat i ka futur duart direkt dhe indirekt”.
Një ribashkim i grupimeve në PD, thotë se nuk përbën shqetësim për strategjitë e tij në fushatë zgjedhore. “Për sa i takon problemeve të brendshme të PD unë jam përpjekur t’i zgjidh ato në interes të vendit. Edhe kur kam qenë kryetar parlamenti kam qenë unë që nuk kam lejuar ndarjen e Partisë Demokratike në dy parti, parti pro reformë dhe antireformë, derisa i detyrova të gjithë të bëheshin pro reformë”.
Sa i takon kandidatëve për kryetar bashkie, Meta ripohoi edhe një herë që këtë përgjegjësi tashmë e ka Sali Berisha si kryetar i opozitës. (A2 Televizion)