
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Florion Mima, komentoi në A2 nismën për amnisti fiskale, duke u shprehur se është ndërmarrë në këtë moment vetëm për të tërhequr vëmendjen nga mospërballimi i situatës së krijuar nga pandemia.
“Është totalisht jashtë fokusit të punëve të ditës që duhet të merret kryeministri, duhet të jesh kokëkrisur. Bëhet për të tërhequr vëmendjen pasi ka një dështim në përballimin e kësaj situate. Ka 6 javë që individët janë detyruar të ndërpresin marrëdhëniet me punët, me një urdhër administrativ, iu premtua se do të marrin një pagë dhe më shumë se gjysma e tyre janë në procedurë verifikimi. Koha ikën, ndërsa fëmijët nuk kanë bukë të hanë. Të marrë shembull nga shtetet e tjera ku çeku shpërndahet me urgjencë dhe më pas shihet nëse ka abuzime”.
Mima shprehet se e sheh amnistinë fiskale si një tentativë e mafies për ta kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të madhe për pastrimin e parave.
“Unë kam votuar edhe në vitin 2011 për amnistinë, por gjithmonë ka probleme. Ekspertë e fushës janë të ndarë. Ata që janë pro amnistisë janë të bindur se gjeneron të ardhura, por në anën tjetër i vë minat moralit tatimor. Tatimpaguesit dalin në përfundimin se e bën dje, do ta bëjnë sot, por edhe nesër. Kryeministri ka bërë të qartë se do të përjashtohen politikanët dhe krimi. Kush ngelet nëse heqim këtë grup? Shqiptarët që kanë punuar jashtë vendit, por ata që janë me letra nuk janë pjesë e kësaj amnistie. Grupi pa letra, ndahet në rezidentë dhe jo. Grupi i targetuar janë rezidentët shqiptarë që janë pa letra. Ata që punojnë 3 muaj dhe kthehen. Nuk ka asnjë kontribut në arkën e shtetit. Ky grup nuk do të ketë kontribut, por lë hapur një derë që të përdoren nga mafia, edhe e rajonit, për të pastruar para. E shoh si një tentativë e mafies për ta kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të madhe”, u shpreh Mima.
Më tej, anëtari i kryesisë së PD theksoi se lufta kundër pastrimit të parasë është prioritare nga BE-ja dhe kjo nismë po e çon vendin në drejtim të kundërt.
Në fund, ai foli edhe paketat ekonomike, për të përballuar këtë situatë pandemie, duke theksuar se nevojat janë shumë më të mëdha. “Ose kjo qeveri nuk e njeh realitetin, ose nuk e ka merak individin dhe biznesin. Duan ta hedhin lumin duke dhënë sa më pak para. Ato para janë të popullit, jo të Edi Ramës, kur populli nuk ka, duhet të ndihmohet. Ndihma është fare anemike, e papërfillshme”, tha Mima. (A2 Televizion)