Amnistia fiskale, qeveria ende nuk ka bindur ndërkombëtarët, KE sërish kundër nismës

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 19:28 | Ekonomi
Amnistia fiskale, qeveria ende nuk ka bindur ndërkombëtarët, KE

Shqipëria nuk ka bindur ende ndërkombëtarët për miratimin e Amnistisë Fiskale. Për muaj më radhë është pohuar se qeveria me ekspertët e BE-së do të hartojnë një nismë të pranueshme, por është Këshilli i Bashkimit Europian që bën kërkesën e radhës që Shqipëria të tërhiqet përfundimisht nga nisma.

“Shqipëria duhet të shmangë çdo skemë apo masë tjetër si ligji për amnistinë fiskale dhe kriminale, e cila do të komprometonte ose minonte rreshtimin me politikat e Bashkimit Europian, duke përfshirë procedurat dhe masat e BE që synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal”.

Në dokumentin e Këshillit, ku skanohet ecuria ekonomike e vendit, paralajmërohet se miratimi i amnistisë fiskale do të vuloste qëndrimin e Shqipërisë në “listën gri” të pastrimit të parave.

“Ligji për amnistinë do të minonte gjithashtu plotësimin e kritereve të nevojshme për të nxjerrë Shqipërinë nga lista gri e pastrimit të parave”.

Në dokument, Këshilli i sugjeron qeverisë që të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit përmes masave fiskale që janë miqësore me rritjen ekonomike. Sipas raportit rritja e të ardhurave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është jetësore për të financuar rritjen e nevojshme të investimeve në drejtim të infrastrukturës dhe burimeve njerëzore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos