
Me të njëjtat argumente si dy vite më parë, Bashkimi Europian kundërshton miratimin e Aministisë Fiskale, hedhur rishtas për Konsultim Publik nga qeveria. Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare, Komisioni Europian u ka shprehur mos-dakordësinë institucioneve shqiptare në takimin e 13-të i Nën-komitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet.
“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.”
Reagimi kundërshtues i Komisionit Europian përfshin edhe shqetësimin se Shqipëria mund të kthehet në “parajsë fiskale” për pastrimin e parave.
“Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë me nismën nëse ajo ri-kundërshtohet nga institucionet ndërkombëtare, kryeministri Rama u përgjigj kështu gjatë prezantimit të gjetjeve pas plotësimit nga qytetarët të pyetësorit të Këshillimit Kombëtar.
Sipas projektligjit që pritet t’i kalojë Parlamentit për shqyrtim, nëpërmjet Aministisë Fiskale mund të formalizohen pasuri deri në 2 milionë euro e cita do të tatohet me 7 deri në 10 për qind. (A2 Televizion)