
Rastet publike të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë duhet të shqyrtohen me përparësi. Kjo ishte kërkesa e opozitës ndaj Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe konfliktit të interesit në Komisionin parlamentar për çështjet ligjore. Duke marrë shkas nga akuzat e ngritura ndaj ministres Olta Xhaçka, demokratët tentuan që këtë kërkesë ta përfshinin në rezolutën vjetore për veprimtarinë e ILDKPKI-së për vitin 2022.
“ILDKPKI për të gjitha rastet e dala në media për konfliktin e interesit për rastet e dala në parlament do të duhet të reagojë në mënyrë më të shpejtë. Ka një pretendim të futur në rrugë procedurale specifikisht për një anëtar që qeverisë që do të duhet të japë qëndrimin e vet”, tha Enkelejd Alibeaj.
Sipas PD-së në komision, këtij institucioni i duhen garantuar instrumentet ligjore që të hetojë pasuritë e zyrtarëve të lartë, por për mazhorancën ky është një lloj vetingu i panevojshëm. “Ideja që ne duhet ta shpallin politikën të kriminalizuar dhe më pastaj t’i varim asaj të drejtën për barrën e provës, mua më duket shumë i gabuar. E them si ide këtë në rastin e raportimit të këtij institucioni pasi ky është institucion që mund t’i kërcëllas dhëmbët çdo politikani, çdo deputeti, çdo ministri, çdo drejtuesi institucioni”, tha Pandeli Majko.
Qasjen e tij, Majko e shoqëroi edhe me një batutë për deputetin opozitar në sallë, Saimir Korreshi. “Saimir bëhu gati të deklarosh edhe byrekët që do të hash...”, tha ai. Të qeshurat në sallë nuk sollën dakordësi, pasi në finale rezoluta u miratua pa amendamentet e opozitës. (A2 Televizion)