Një front tjetër lufte në Ukrainë, një front ku të rinjtë ndihmojnë ata që i shpëtuan një sulmi, apo ata që po i afrohen një tjetër beteje në emër të lirisë së vendit të tyre. Gazetari Julian Kasapi iu rrëfen anën tjetër të përpjekjes dhe rezistencës ndaj pushtimit rus.
“Kjo është një nga dhomat seli të organizatës sonë. Dy dhoma të tjera janë andej. Jemi në departamentin kryesor ku komunikohet me të gjithë ata që po përpiqen të na ndihmojnë me furnizime. Një dhomë tjetër stafi po punon për logjistikën që na ndihmon që të transportojmë gjithçka kemi mbledhur, nëpër Ukrainë, në vende të ndryshme ku ka nevojë”, shprehet një nga të rinjtë organizues për A2CNN.

Brenda kësaj ndërtese gjenden disa ekipe që luftës për fitore i përgjigjen në këtë formë, ndërsa jashtë janë vetëm disa të rinj të angazhuar për t’i dërguar këto ndihma.
“Nuk jemi thjesht një front tjetër lufte sepse po përpiqemi të furnizojmë jo vetëm ushtrinë, por edhe ata qytetarë që kanë nevojë për medikamente apo ndihma të tjera emergjente në shtëpi. Këtu është një tjetër ekip që merr telefonata. Mund ta quajmë call center”, shton ai.

Nga ana tjetër, përveç djemve, edhe vajzat janë angazhuar për t’ju ardhur në ndihmë ushtarëve dhe qytetarëve që po përballen me pasojat e luftës përgjatë kësaj jave.
“Ne po marrim telefonata nga qytetarë dhe ushtarë nga vende të ndryshme. Përpiqemi t’i ndihmojmë ata me çfarë kanë më shumë nevojë. Nga ana tjetër, lidhemi me pika ku janë strehuar njerëzit për t’i pyetur ata se çfarë iu duhet më tepër. Kryesisht ushqime, veshje, ilaçe apo të tjera gjëra të domosdoshme të këtij lloji. Ne po krijojmë një urë lidhëse, mes njerëzve që kanë nevojë dhe atyre që mund ti ndihmojnë ata”, shprehet një prej anëtareve të organizatës.
“Kjo është një tjetër dhomë. Ka qenë dhomë konferencash, por tani është kthyer në një dhomë logjistike ku vajzat dhe djemtë e rinj koordinohen me autobusët, mjetet e transportit dhe vendndodhjet në të cilat do të duhet të dërgohen këto ndihma të mbledhura nga grupi i parë i punës dhe të organizuara nga grupi i dytë i punës. Ne kemi tetë vite që punojmë me këtë organizatë dhe humanizmi dhe patriotizmi na ka karakterizuar gjithmonë. Kemi ndihmuar edhe në raste të tjera. Në Ukrainë jemi të njohur, dhe tani më shumë se asnjëherë duhet të punojmë për kauzën tonë patriotike, duhet të ndihmojnë të gjithë ata që kanë marrë armët për të luftuar aty”.

Ndër të tjera, ajo tregon se një nga gjërat më të rëndësishme që dërgon organizata drejt ushtrisë, janë barnat dhe medikamentet e ndryshme.
“Një nga gjërat më të rëndësishme gjatë një lufte, padiskutim është mjekimi, qendrat mjekësore dhe depot farmaceutike. Ne kemi disa pika këtu në Lviv ku ruajmë dhe shpërndajmë medikamentet. Kemi një staf që ka dijeni për barnat dhe përpiqet që t’i dërgojë ato në vendin e duhur, duke shmangur dërgesat e përsëritura. Ne kemi kërkesa të ndryshme nga ushtria dhe kërkesa po ashtu edhe nga qytetarë që i janë larguar luftës, i kanë shpëtuar ndonjë sulmi dhe janë në kërkim të një vendi më të sigurt dhe medikamente që i duhen për të shëruar plagët”.
Një i ri, i cili është bërë pjesë e organizatës pas ofensivës ruse, shprehet se vuri në funksion aftësitë e tij të mira në teknologji, për të bërë lidhjet me njerëzit në nevojë.
“Jam zgjuar i shokuar të enjten. Ishte e tmerrshme ajo që dëgjoja për vendin tim. Ne jemi të rinj dhe nuk kemi asnjë përvojë me luftën. Nuk kemi dalë asnjëherë të mbrojmë vendin dhe atë mëngjes vendosa të bëj atë që di më mirë, për të ndihmuar që e gjithë kjo të marrë fund dhe ne të jemi fitimtarë. Telefonova miqtë e mi dhe vendosëm të organizoheshim për të bërë këtë gjë që po bëjmë tani, të luftojmë me ndihma për ata që kanë nevojë për ne. Të luftojmë me anë të pajisjeve telefonike, internetit dhe kompjuterëve tanë, për t’i ardhur në ndihmë sidomos ushtrisë. Është e tmerrshme kjo që po ndodh, por ne po luftojmë për të qenë fitimtarë dhe e gjithçka të jetë më mirë”. (A2 Televizion)