
Nuk pati histori përballja në Elbasan Arena midis Laçit dhe belgëve të Anderlechtit. Ekipi kurbinas u mund lehtësisht 0-3 nga gjigantët e futbollit belg, me golat Hannes Delcroix, Wesley Hoedt dhe Lior Rafaelov.
Kurbinasit filluan mirë ndeshjen por ekuilibri nuk zgjati më shumë se 20 minuta. Belgët kaluan në avantazh me një gol tërësisht rastësor të mbrojtësit Delcroix, por më pas treguan diferencën teknike dhe patën raste të pastra shënimi, të konkretizuara në fund të pjesës së parë me realizimin me kokë të ish-mbrojtësit të Lazios, holandezit Hoedt.
Rafelov në pjesën e dytë me anë të një gjuajtje të bukur vulos kualifikimin për Aderlechtin, ndërkohë që Laçi, që luante pa yllin e saj Mazrekaj, mund të ngushëllohet për një fushatë europiane gjithsesi dinjitoze, si dhe arkëtimet e kënaqshme. (A2 Televizion)