Anija spiune ruse pranë brigjeve amerikane, SHBA: Rrezikon të përplaset me anijet civile

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 12:39 | Bota

Një anije spiune ruse është rikthyer pranë brigjeve amerikane në zonën e Karolinës së Jugut dhe po kryen manovra të rrezikshme duke shkaktuar probleme te mjetet e tjera lundruese civile që kalojnë aty.

Edhe pe anija “Viktor Leonov” ka qëndruar në ujëra ndërkombëtare, autoritetet amerikane thanë për CNN se duke mbajtur dritat e fikura dhe duke mos u përgjigjur ndaj kontakteve të anijeve civile rrezikon të përplaset me to. Zyrtarët thanë edhe se anija kishte ndërmarrë veprime të tjera të pasigurta.

“Roja Bregdetare Amerikane ka marrë raportime se anija ruse Viktor Leonov ka kryer manovra të pasigurta në brigjet pranë Karolinës së Jugut dhe Xheorxhia. Mungesa e koordinimit me mjetet e tjera ka bërë që të rritet rreziku për përplasje”, tha një zëdhënës i Rojës Bregdetare për CNN. Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes tha për CNN se anija ruse ishte duke u ndjekur nga afër nga anija ushtarake amerikane “USS Mahan”.

“Viktor Leonov” patrullon pranë bregut lindor amerikan prej vitit 2015 ndërsa kryen aktivitetin e saj edhe në Karaibe, Kubë dhe Trinidad dhe Tobago. Ajo u drejtua përsëri për nga Shtetet e Bashkuara pak ditë pasi një anije luftarake amierkane nisi të patrullonte në Detin e Zi, pranë qytetit rumun Kostancë.

Tensionet mes dy shteteve mbeten të larta. Vetëm pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, vizitoi Shtëpinë e Bardhë, ndërsa vazhdimisht ka ngritur shqetësimet e Moskës për tërheqjen e Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore që mund të rindezë luftën e armatimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos