Anti-KÇK, Edi Rama: Koalicion i drejtuar nga Meta kundër ligjeve

Nga A2 CNN
5 Mars 2020, 21:38 | Politikë
Anti-KÇK, Edi Rama: Koalicion i drejtuar nga Meta kundër ligjeve

Mbrojtja më e mirë është sulmi dhe Edi Rama ndoqi këtë strategji, kur para deputetëve kërkoi mbështetje me votë për paketën anti-KÇK.

Ai foli për një koalicion kundër ligjeve që luftojnë krimin, në krye të së cilit, sipas tij, qëndron presidenti.

“Duke e mbështetur përmes goditjes së qeverisë që po i bie në qafë këtyre të shkretëve që kanë vrarë, kanë trafikuar vajza. Ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat tek i ashtuquajturi president, nga opozitat këtu tek ato në rrugë, deri te Avokati i Popullit, ta konsiderojnë mëkat të qeverisë sa që jepet si prova kuptimplotë dhe përfundimtare e nevojës për ta shporrur këtë qeveri. Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si një moment “o sot, o kurrë”, u shpreh kryeministri Rama.

Opozitën jashtë Kuvendit, të kryesuar nga Lulzim Basha, e quajti figurante të shfaqjes së Ilir Metës. 

“Nuk shkon lule më lule. Ai thjesht është ku rafsha mos u vrafsha. Kur bie në duar të mira si unë. Si mundet që një opozitë e tërë bëhet servis i kinostudios “Shqipëria e Re”, për t’u mbledhur në bulevard dhe për të parë Vojo-amerikanin”, shtoi kreu i qeverisë.

Me etiketime edhe më të forta iu drejtua zëvendësuesve të të tyre në parlament, votat e të cilës i duheshin për të kaluar disa prej ligjeve të paketës anti-KÇK.

“Akoma nuk jeni dorëzuar përpara faktit që na kërkohen ide, dhe fjala ide na pranohet si ide, nuk është ide”, shtoi Rama.

Fillimisht strategjia e mazhorancës ishte injorimi i deklaratave të presidentit apo akuzave të tij për kapje institucionesh, strategji e cila ditët e fundit duket se ka ndryshuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos