
Mbi 12 mijë persona janë evakuuar me urgjencë nga arena “Co-op Live” në Mançester të Anglisë, pasi një substancë e panjohur u përhap gjatë koncertit të reperit amerikan Don Toliver, duke shkaktuar panik dhe probleme shëndetësore te dhjetëra pjesëmarrës.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, rreth orës 22:00, kur një re tymi mbushi ambientet e arenës. Fillimisht, policia dyshoi se bëhej fjalë për gaz lotsjellës, por në deklaratat e mëvonshme iu referua një substance ende të paidentifikuar.
Sipas Shërbimit të Ambulancës së Mançesterit, më shumë se 50 persona kërkuan ndihmë mjekësore për shqetësime në sy dhe në rrugët e frymëmarrjes, ndërsa një person u transportua në spital.
Dëshmitarët treguan se situata u përkeqësua brenda pak çastesh, me të pranishmit që nisën të kolliteshin, të kishin vështirësi në frymëmarrje dhe të largoheshin me nxitim nga salla.
“Po merrnim frymë me vështirësi dhe kolliteshim shumë keq. Mund të shihnim njerëz që vraponin drejt daljeve të arenës”, rrëfeu një prej pjesëmarrëseve për CNN. (A2 Televizion)