Sot në seancën e Kuvendit do të diskutohet draft/rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste mbi aktin e presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit të nëntorit 2018 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Një kopje e kësaj draft/rezolute që do të diskutohet dhe pritet të miratohet në Kuvend iu është dorëzuar dhe ambasadorëve të BE dhe SHBA.
Në rezolutë, PS i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji për organizimin e zgjedhjeve, që ta konsiderojnë si inekzistent dekretin e Presidentit Meta, me të cilin ai shfuqizoi dekretin e mëparshëm ku 30 qershori caktohej si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 2019.
Përmes saj, PS kërkon edhe mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar ndaj vendimit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore.
Ndërkohë presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se do të mbajë një tjetër konferencë për shtyp në orën 17:00.
(A2 Televizion)