
Në kulmin e debatit publik për dosjen 339 tek Krimet e Rënda, Vladimir Mara, një prej dy prokurorëve të çështjes, doli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Mara kaloi në filtër për të tre kriteret e vetting-ut: pasuri, figurë e profesionalizëm, ku rezultoi pa probleme dhe i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës së prokurorit. I vetmi moment që krijoi debat Marën, njëkohësisht një nga prokurorët e dosjes “Tahiri” ishte përdorimi për gati 2 vjet i një automjeti me targa angleze të sjellë nga Mbretëria e Bashkuar nga kushëriri i tij.
Nga ana e tij, prokurori Mara theksoi se kishte një akt përdorimi nga kushëriri dhe se e kishte përdorur mjetin shumë pak muaj, për shkak se kishte timon të stilit anglez.
“Nuk kam pasur qëllim asnjë moment t’i shmangem ligjit apo taksave”, tha Mara. KPK solli në vëmendje polemikën e ekstradimit të Nezar Seitajt, një prej të pandehurve të dosjes “Habilaj”. Prokurori Mara sqaroi se në dosjen e gjykatës që vendosi ekstradimin e tij ndodhej vendimi për caktimin e një mase sigurie nga Krimet e Rënda, vendim për të cilin kishin dijeni edhe burgjet.
Në të njëjtën ditë, KPK zhvilloi seancën dëgjimore për Idriz Mulkurtin, gjyqtarin e Apelit për Krimet e Rënda, i cili duket se nuk do ta ketë të lehtë arritjen e një rezultati pozitiv. Në mungesë të gjyqtarit, KPK listoi një sërë problematikash të konstatuara në pasurinë e tij, mes të cilave pamundësia për pagesën e një kësti prej 20 mijë euro për blerje banese, si edhe dhënien e tij me qira 300 euro në muaj të një apartamenti në qytetin e Bajram Currit. (A2 Televizion)