
Seancë dëgjimore për Idriz Mulkurtin në KPK, gjyqtar i Apelit të Krimeve të Rënda. Mulkurti nuk ka qenë present dhe përfaqësohej nga avokati Sokol Hazizaj.
Sipas ILDKP, deklarimi është i pasaktë, ka fshehje të pasurise dhe deklarim të rremë. Ai zotëron një apartament banimi 84 m2 në Tiranë. Sipas hetimit të KPK-së, pagesa është shlyer në dy këste, 20 dhe 30 mijë euro në vitin 2006. Subjekti nuk ka pasur mundësi për shumën 20 mijë euro. Pagesa e dytë është marrë kredi. Pagesa është bërë në “cash”. Mulkurti ka shpjeguar se për këstin e parë ka huazuar një shumë lekësh. Për këtë ka paraqitur dhe një deklaratë noteriale.
Garazh i blerë 14 mijë euro në vitin 2010. Para’ nga kursimet dhe nga qiraja e një apartamenti në Bajram Curri. Është e dyshimtë qiraja 300 euro në muaj për apartamentin në këtë qytet. Mulkurti ka shpjeguar se qiramarrësi i ka marrë banesën për aktivitet biznesi dhe ka marrë paradhënie shumën e 3 viteve. Për vlerën e qirasë është marrë parasysh edhe vlera e rikonstruksionit të banesës.
Nga hetimi ka rezultuar se amortizimi nuk është arsye bazë për çmimin e qirasë. Përpos pretendimeve të subjektit se ka pasur pajisje të mira, ai nuk ka deklaruar asnjëherë shpenzime për atë banesë. Nga hetimi nuk rezultoi se K.K. ka qenë menaxher i shoqërisë "X". Nga kontrata rezulton se ajo është lidhur si individ dhe jo në cilësinë e menaxherit të shoqërisë tregtare. Nga të dhënat e QKB ka rezultuar se në kohën e lidhjes së kontratës nuk ka qenë menaxher dhe se shoqëria nuk ka pasur adresë në Bajram Curri.
Mulkurti ka edhe një apartament në Bajram Curri, blerë në vitin 1993, para se të bëhej gjyqtar; një automjet Mercedes; tokë arë në Luzhë, Tropojë; tokë arë 6 mijë m2, dhuratë nga motra; tokë arë në Sukth, Durrës 1000 m2. Kjo pasuri nuk është deklaruar në deklaratën e vetting-ut. Pasuri e fituar nga një akt trashëgimie. Subjekti ka treguar se nuk ka pronësi mbi atë tokë dhe nuk zotëron të drejta reale pasi nuk është përfituar në rrugë ligjore.
Gjithashtu, Mulkurti ka deklaruar 1.5 milionë kursime.
KPK ka vërejtur se “Mulkurti ka bërë shpenzime të shumta për udhëtime”, ndërkohë që vajza e Mulkurtit ka studiuar në universitet privat në Tiranë, ndërsa djali në Londër.
Përsa i përket figurës, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë për vijimin e detyrës. (A2 Televizion)