Apeli Administrativ pranon vetëm 1 nga 7 padi të kandidatëve për në Kushtetuese

Nga A2 CNN
30 Gusht 2019, 17:26 | Aktualitet
Apeli Administrativ pranon vetëm 1 nga 7 padi të kandidatëve

Gjykata e Apelit Administrativ ka pranuar vetëm një nga shtatë padi të bëra kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nga pretendentët për Gjykatën Kushtetuese. Shtatë paditësit kundërshtuan në Apel vendimin e KED që nuk i lejoi ata të kandidojnë për vendet vakante në Kushtetuese. Shkak për ndërprerjen e kandidimit ishte mospërmbushja e kritereve ligjore.

Referuar vendimeve të zbardhura, kopjet e të cilave zotërohen nga A2 CNN, Apeli Administrativ ka pranuar padinë e Zhaklina Petos, duke vendosur shfuqizimin e vendimit të KED për moslejimin e kandidimit të saj. Ndërsa për paditësit Vasil Bendo, Rexhep Bekteshi, Petrit Kaja, Dedë Kasneci dhe Sinan Tafaj, Gjykata ka vendosur të rrëzojë pretendimet e tyre për rikthim në garën drejt Kushtetueses.

Sipas arsyetimit të vendimeve, arsyet që ishin bërë shkak për moslejimin e vijimit të kandidimit ishin mosdorëzimi në kohën e përcaktuar ligjore të deklaratave të ILDKPIK-së, probleme me justifikimin e pasurisë e deri në probleme më figurën, si në rastin e pretendentit Rexhep Bekteshi, për të cilën Autoriteti i Dosjeve i ka përcjellë informacion KED-së, ku pretendohet se ne vitin 1990 ai ka hetuar një person për “agjitacion e propagandë”.

Vendimet e Apelit Administrativ

Kristaq Traja - rrëzimin e padisë

Rexhep Bekteshi - rrëzimin e padisë

Petrit Kaja - rrëzimin e padisë

Dedë Kasneci - rrëzimin e padisë

Sinan Tafaj - rrëzimi e padisë

Zhaklina Peto - pranimin e padisë (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos