
Gjykata e Apelit të Posaçëm lë të pandryshuar masën e sigurisë "arrest në burg" për ish-kryetarin e Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla dhe 10 të dyshuarit e tjerë të bashkakuzuar në të njëjtën dosje.
SPAK po heton që prej vitit të kaluar në bashkëpunim me policinë dhe rezulton se janë konsumuar veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi veç atyre tradicionale.
Zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme thotë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se kryebashkiaku i Bulqizës ka shkelur barazinë në tenderë dhe ankande publike dhe ka shpërdoruar detyrën. Nga hetimi ka rezultuar se për Lefter Allën evidentohet qartësisht se ka shkelur procedurat e prokurimit publik të 30 prillit 2021 për ndërtimin e rrjetit të furnizimit dhe të shpërndarës së ujësjellës-kanalizimeve, në Lagjen e Vjetër të qytetit të Bulqizës.
Kryebashkiaku së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës të bashkisë kanë krijuar avantazhe gjatë procedurës së prokurimit në mënyrë që garën ta fitonte kompania që donin ata. Por, ka dhe më shumë se kaq në konkluzionet e SPAK. Të hetuarit me veprime aktive, jo vetëm kanë ngritur një mekanizëm të posaçëm për të favorizuar një firmë pjesëmarrëse në tender, por kanë zbuluar se firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumentacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i hetuari Aqif Konesha, i cili rezultoi lidhje e afërt e kryetarit të bashkisë, Lefter Alla.
Tre vjet më parë, Alla u hetua nga SPAK për “prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike”, hetim që nisi pas publikimit të një videoje, ku pretendohej se shfaqej kryebashkiaku duke konsumuar kokainë. Në kuadër të hetimit, Alla iu nënshtrua dhe testit të drogës, prej nga rezultoi se nuk ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe më pas hetimi i nisur u pushua. (A2 Televizion)