Apeli lë në fuqi dënimin e ish-zv.ministres, Rovena Voda, por i shpëton burgut

Nga A2 CNN
11 Janar 2023, 14:45 | Kronikë
Apeli lë në fuqi dënimin e ish-zv.ministres, Rovena Voda, por i

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e dënimit me burg të ish-zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda.

Ndonëse vendimi i Apelit është i ekzekutueshëm, Voda nuk shkon në qeli pasi koha e dënimit është ezauruar me qëndrimet në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Saida Dollani (anëtare), sot më datë 11.01.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 63 akti, datë 19.09.2022, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit R.V., M.H.,  F.B., kundër vendimit nr. 26 datë 07.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

1.            Deklarimin fajtor të të pandehurës R.V, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2, të Kodit Penal, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43/2021) dhe dënimin e saj l(një) vit e 3( tre) muaj burgim.

-Në bazë të nenit 406 pika 1, të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurës R.V, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 10(muaj) burgim.

-Vuajtja e dënimit të pandehurës i fillon nga dita e zbatimit të masës së sigurimit arrest ne shtëpi datë 13.7.2021 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

-Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal, të pandehurës R.V t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike, për një periudhë prej 5 (pesë) vjet.

2.            Deklarimin fajtor të të pandehurës M.H, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 1, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43/2021) dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj 1 (një) vit e 3(tre) muaj burgim.

-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurës M.Hi ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 10(dhjetë) muaj burgim.

-Vuajtja e dënimit të pandehurës i fillon nga dita e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” datë 13.7.2021 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurës F.B, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 1, (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43/2021) dhe 25 të KoditPenal dhe dënimin e saj l(një) vit e 3(tre) muaj burgim.

-Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurit F.B, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 10(dhjetë) muaj burgim.

-Vuajtja e dënimit të pandehurës i fillon nga dita e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” datë 13.7.2021 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 26 datë 07.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk nga dy të bashkakuzuarat, me qëllim punësimin e Florida Beut.

Takimet mes të triave janë realizuar në shkurt-mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës. Hasani e Beu janë përgjuar në bisedat mes tyre, si edhe familjarëve, kur tregojnë për dhënien e një zarfi me 1 mijë euro Vodës, ku 32-vjeçarja shpreh bindjen se “duan lekë, se pa lekë nuk të bën njeri gjë”.

SPAK ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë të një bari në Durrës, ku Voda ka futur në çantën e saj një telefon blerë me herët nga Florida Beu për 550 euro. Kjo ishte paraprirë nga një bisedë ku Florida saktësonte se zv.ministrja e donte “Samsung” dhe jo “iPhone”.

Ndërsa për marrjen e arkës me peshk, sipas SPAK, Voda ka shkuar në port me automjetin e Ministrisë së Brendshme që mbante si zyrtare e lartë dhe shoferin e saj. Përballja me kamerat në hyrje, bëri që Voda të dilte nga një derë tjetër nga gjykata. Ajo përdori katin e nëndheshëm, që në përditshmëri përdoret për të pandehurit e prangosur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos