
Pandemia e koronavirusit ka futur një pjesë të madhe të botës në karantinë, por jeta nuk ka ndaluar aspak dhe në ndihmë të saj ka ardhur internetit dhe shumë aplikacione që kanë bërë të mundur jo vetëm komunikimin mes njerëzve në pjesë të ndryshme të botës, por edhe të vijimit të punës, tashmë nga shtëpia.
Nja nga aplikacionet që gjeti një përhapje të gjere gjatë kësaj kohe ishte edhe “Zoom”, i cili mundëson video-konferenca mes personave të ndryshëm. Ky aplikacion nisi të përdorej gjerësisht nga kompanitë dhe jo aq shumë në nivel personal. Por ky aplikacion pati probleme të shumta me sigurinë.
Besmir Semanaj, specialist për sigurinë e informacionit, foli në A2 për këtë çështje, ku solli në vëmendje edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur pak ditë më parë për situatën e koronavisurit, mbledhja e zhvilluar pikërisht me anë të këtij aplikacioni. Semanaj e quajti këtë një skandal.
“Në muajin dhjetor, ky aplikacion ka pasur rreth 10 milionë përdorues, ndërsa në mars shkoi në 200 milionë përdorues ditor. Pjesa më e madhe e problematikave ka nisur pas muajit janar kur nisi edhe përdorimi në masë i këtij aplikacioni. Problemet kryesore kanë të bëjnë me të dhënat që ky aplikacion shpërndante me palë të treta, me Facebook dhe të tjera platforma dhe kjo bëhej për arsye marketingu. Një tjetër problem, por ende i pavërtetuar, është se ky aplikacion shpërndante edhe materiale që përdoruesit i ndanin me të tjerët. Një tjetër problematik, “Zoom” ka pretenduar se i gjithë trafiku ishte i inkriptuar, por nuk rezultoi kështu. Po ashtu, gjatë muajve të fundit u krijuan disa servera edhe në Kinë. Një pikë tjetër, Zoom ka një opsion që bën të mundur që pjesëmarrësit mund të merrnin pjesë në mbledhje pa qenë i pranishëm moderatori dhe nuk kërkonte asnjë informacion dhe aty mund të futeshin persona të ndryshëm, nëse gjenin linkun.
Unë kam reaguar kur u bë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila në syrin tim ishte një skandal, pasi një mbledhje kaq e rëndësishme, me informacion kaq të rëndësishëm, nuk mund të realizohet me një aplikacion të tillë".
Së fundmi, ka shpërthyer edhe fenomeni “Zoombombing”. Hakera janë futur në klasat, ku nxënësit në Nju Jork kryenin mësim online dhe kanë bërë thirrje raciste, janë ekspozuar në mënyrë të turpshme dhe kjo ka ndodhur enkas meqenëse do të shihej nga fëmijët që po bënin mësim. Ky aplikacion është përdorur edhe nga nxënësit në Shqipëri gjatë kësaj kohe.
“Para se të realizonin lidhjen bashkë, unë bëra një test. Disa miqtë e mi më nisën linqet që fëmijët e tyre bënin mësim dhe unë e kisha shumë të lehtë të bëhesha pjesë e mësimit me fëmijë të klasave të katërta apo të tjera. Duke qenë se thirrja për mësime ka qenë edhe në rrjetet sociale, ku është dhënë edhe ID dhe personat dashakeqës e kanë shumë të lehtë të futen aty. Një problem është se në Shqipëri nuk ka adresa zyrtare. Dikush mund të futet pa u vënë re dhe me të drejtat të plota”, u shpreh eksperti i sigurisë së informacionit.
Fatmirësisht, ky aplikacion ka marrë disa masa dhe nga mbrëmë nuk do të lejohen më takimet me link të hapur dhe pa praninë e moderatorit. (A2 Televizion)