
Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga mbyllja e aplikimeve për përfitimin e granteve të rindërtimit, ende shumë banorë të prekur nuk kanë mundur të përfundojnë plotësimin e formularit.
Pranë sporteleve të Njësisë Bashkiake numër 6, në kryeqytet që përfshin banesat e dëmtuara në Kombinat dhe në zonat përreth, janë krijuar radhë të gjata. Banorët deklarojnë se po përballen me vonesa dhe zvarritje të procedurave për aplikimin në platformë.
Me mbylljen e fazës së aplikimit, njësitë bashkiake do të nisin më pas shqyrtimin e tyre dhe kategorizimin në varësi të programeve që kanë aplikuar banorët.
Dëmshpërblimi ose rindërtimi i banesave do të bëhet në varësi të dëmeve që kanë pësuar objektet. Aktualisht, në Tiranë janë përcaktuar 5 zona të reja rurale zhvillimi dhe 4 të tjera në pjesën urbane të qytetit. (A2 Televizion)