
Shqipëria është pak e ekspozuar nga impakti i koronavirusit në ekonominë italiane. Me gjithë ngadalësimin e aktivitetit në zonat e prekura, sipas ekspertit Vjoldi Danaj, ndikimi në vend aktualisht është vetëm psikologjik dhe prek kryesisht lëvizjet e njerëzve. Edhe me zgjatjen e kësaj situate, sipas tij, goditjet në ekonomi do të jenë minimale.
“Shqipëria që ka një partneritet goxha të fortë me Italinë, jo vetëm për pjesën e ekonomisë, por edhe për numrin e madh të emigrantëve që ka në atë shtet. E vetmja gjë që mund të ndikojë mund të jetë pjesa e fasonerisë, që ka konsumator primar shtetin dhe konsumatorët italianë.
Impakti ekonomik deri tani është shumë minimal, duhet parë se si do të rrjedhë situata, por deri në këtë moment nuk mund të frikësohemi nga një goditje ekonomike”.
Eksperti thekson se nuk ka vend për panik tek konsumatorët shqiptarë, në lidhje me produktet që vijnë nga Italia apo vendet e tjera të prekura. “Të paktën nga ato që na kanë garantuar mjekët, nuk transportohet ky lloj virusi nga importet dhe eksportet, problemi është në kontaktet mes njerëzve”.
Shteti fqinj është partneri ynë më i madh tregtar, me mbi 2.5 miliardë euro shkëmbime mallrash. Italia është gjithashtu një prej investitorëve më të mëdhenj në ekonominë shqiptare, ndërsa vitin e kaluar mbi 467 mijë shtetas italianë vizituan vendin, duke përbërë një shtyllë për turizmin shqiptar. (A2 Televizion)