Aplikimi për rindërtimin nis në 29 janar, 1 muaj për dosjet

Nga A2 CNN
26 Janar 2020, 15:26 | Politikë
Aplikimi për rindërtimin nis në 29 janar, 1 muaj për dosjet

Të mërkurën e 29 janarit, të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti, mund të nisin aplikimin “online” për të përfituar kompensim nga qeveria. Qoftë finaciar, nëpërmjet granteve, apo edhe banesë tjetër në rast se shtëpia është shkatërruar plotësisht.

Në 1 muaj kohë nga aplikimi, pushteti vendor duhet të ketë gati dosjen për çdo aplikues dhe këshillat bashkiakë duhet të miratojnë sistemin e pikëzimit mbi të cilin do të shpërdahen dhe paratë.

“Në bazë të këtij aplikimi dhe dokumentave shoqëruese, të gjitha do të jenë pjesë e dosjes ligjore. Nuk do të lini qytetarët të bredhin dokumenta, por duhet t’i bëni vetë brenda 30 ditësh”, tha Ahmetaj.

Pavarësisht se mund të vendosen në ndërtesa të reja, qytetarët nuk do të humbin pronësinë e trualit ku kishin shtëpinë e shkatërruar. Ndërsa grantet për rindërtim individual do të variojnë: “Nëse je dëmtuar lehtë, ke një grant nga qeveria prej 100 mijë lekësh; nëse ke dëmtim mesatar, 250 mijë lekë; nëse ke dëmtim serioz, 500 mijë lekë; nëse je për rikonstruksion, kompensim i plotë”.

Përkundrejt këtyre shifrave, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndëshkime për pushtetarët vendorë që abuzojnë me paratë që do të shpërndahen.

“Mos i hyni në hak askujt, bëjeni këtë punë sikur të ishit ju që keni ngelur pa shtëpi. Dhe mos merrni iniciativa individuale për të regjistruar si të pastrehë nga tërmeti njerëz që nuk kanë lidhje me tërmetin. Sepse do të ndëshkoheni. Ekranet e monitorimit janë instaluar në katin e dytë në Kryeministri dhe ne do e ndjekim të gjithë procesin në kohë reale”, deklaroi Rama.

Përveç zyrës në Kryeministri, Rama kërkon dhe monitorim nga opozita: “E ftoj opozitën që të dalë dhe të vërë ulërimën për çdo rast spekulimi”.

Fatura e dëmeve zyrtarisht do të publikohet në 4 shkurt, por, sipas kryeministrit, ajo është mbi 1 miliard euro.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos