Avioni përfundon mbi çati dhe “zgjon” të zotët e shtëpisë nga gjumi

Nga A2 CNN
21 Korrik 2026, 13:38 | Kapur në kamera

Një ngjarje e pazakontë që mund të kishte përfunduar në tragjedi ka ndodhur mëngjesin e së hënës në Teksas të Shteteve të Bashkuara, ku një pilot ka shpëtuar për mrekulli pasi avioni i tij u përplas mbi çatinë e një shtëpie luksoze në zonën periferike.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur avioni i vogël i llojit "Piper J3C-65", me sa duket humbi drejtimin për në pistën private të uljes “Covey Trails” dhe u përplas me çatinë e banesës.

Pronari i shtëpisë, i cili ndodhej në shtrat në ato momente, tregoi se dëgjoi një zhurmë të fuqishme gjatë goditjes, përcjell A2 CNN. Ekipet e shumta të emergjencës dhe zjarrfikësve mbërritën menjëherë në vendngjarje. Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Ford Stein, deklaroi se kur mbërritën, e gjetën pilotin me ndërgjegje të plotë, por të bllokuar brenda kabinës.

Për shkak të rrjedhjes së karburantit, zjarrfikësve iu desh së pari të ndërprisnin energjinë elektrike për të shmangur ndonjë shkëndijë që mund të shkaktonte shpërthim. Pas sigurimit të zonës, piloti u nxor nga kabina dhe u transportua në spitalin "Memorial Hermann Katy" vetëm me lëndime të lehta.

“Kur dëgjon për rrëzimin e një avioni, rrallëherë pret që dikush të dalë i gjallë prej tij”, deklaroi Stein për mediat vendase, duke e cilësuar të jashtëzakonshëm mbijetesën e pilotit. Shkaqet e plota të këtij aksidenti ajror mbeten ende nën hetim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos