Autoritetet meksikane njoftuan zbulimin e një tuneli nëntokësor, i cili dyshohet se lidh qytetin e Tijuanës në Meksikë me një rrugë në San Diego të Kalifornisë.
Agjentët e inteligjencës ushtruan kontroll në një banesë në jug të kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, ku zbuluan se objekti mund të ketë shërbyer si qendër e trafikimit të armëve, eksplozivëve dhe lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve, tuneli është rreth 265 metra (870 këmbë) i gjatë dhe mbi 6 metra i thellë. Ai ishte i pajisur me ndriçim, sistem ajrimi dhe një mekanizëm elektronik rrëshqitës, që mundësonte kalimin e fshehtë të materialeve nën kufi.
Prokuroria Publike e Meksikës është zotuar të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti. (A2 Televizion)