Një shpërthim i fuqishëm ndodhi të shtunën në mëngjes në Addison, një periferi e qytetit Çikago, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa shtëpi, por fatmirësisht pa viktima, raportojnë mediat amerikane.
Incidenti ndodhi rreth orës 8:40 të mëngjesit dhe u kap nga një kamera sigurie e një banese aty pranë, shkruan A2 CNN. Sipas autoriteteve, një kamion që po transportonte sende shtëpiake shpërtheu, duke bërë që mbetjet të përhapeshin për qindra metra.
Sipas Shefit të Departamentit të Zjarrfikësve të Addison-it, Brock Herion, shoferi i kamionit, fatmirësisht pësoi vetëm dëmtime të lehta dhe u largua në këmbë.
Hetimet paraprake tregojnë se shpërthimi u shkaktua nga rrjedhja e një bombole gazi propan që ndodhej brenda kamionit. Kompania Penske, që kishte dhënë kamionin me qira për qëllime zhvendosjeje, deklaroi se sipas marrëveshjes së qirasë, transportimi i materialeve të rrezikshme si gazi nuk lejohet, dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me hetimet.
Dëmtimet më të mëdha u raportuan në shtëpinë përballë vendit ku ndodhi shpërthimi. Banorët, ndonëse të tronditur, ndihen me fat që shpërthimi nuk solli pasoja fatale. “Ishte si një fishekzjarr me fuqi të jashtëzakonshme”, tha një banor. Një tjetër shtoi: “Nëse do të ishim vonuar vetëm pak minuta, mund të ishim në vendin e ngjarjes”.
Policia e klasifikoi shpërthimin si aksidental, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
(A2 Televizion)