Momenti kur protestuesit gjuajnë me gurë Presidentin e Argjentinës

Nga A2 CNN
28 Gusht 2025, 11:45 | Kapur në kamera

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, u detyrua të largohej me shpejtësi nga një aktivitet publik në Buenos Aires të mërkurën, pasi protestuesit hodhën gurë dhe objekte të tjera drejt automjetit të tij, raporton Reuters, përcjell A2 CNN. Milei ndodhej në pjesën e pasme të një kamionçine të hapur, së bashku me ekipin e sigurisë dhe motrën e tij, Karina Milei, e cila është gjithashtu shefe e stafit të presidentit, ndërsa po bënte fushatë për zgjedhjet lokale dhe ato afatmesme që po afrohen.

Protestuesit filluan të hidhnin objekte drejt karvanit, ndërsa të paktën një gur goditi kofanon e kamionçinës. Disa sende u panë duke kaluar mbi kokën e presidentit, ndërsa turma thërriste slogane kundër qeverisë si “Ik, Milei”.

Sipas zëdhënësit të tij, Manuel Adorni, anëtarë të opozitës “sulmuan” karvanin presidencial, por nuk pati të lënduar. Ngjarja ndodhi në Lomas de Zamora, një bastion tradicional i lëvizjes opozitare, ku Milei po përballet me kritika të ashpra për masat e kursimit dhe skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Në qendër të skandalit ndodhet Diego Spagnuolo, ish-drejtues i Agjencisë për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili akuzohet për një skemë ryshfeti. Mediat lokale kanë publikuar regjistrime audio ku një zë, që mendohet të jetë i Spagnuolo-s, flet për pagesa të paligjshme dhe përmend emrin e Karina Mileit. Autoritetet argjentinase kanë kryer bastisje në disa prona më 22 gusht, ndërsa qeveria ka shkarkuar Spagnuolon “si masë parandaluese”.

Zgjedhjet lokale në provincën e Buenos Aires më 7 shtator dhe ato afatmesme më 26 tetor janë vendimtare për Milein, i cili synon të forcojë pushtetin dhe të vazhdojë politikat e tij ekonomike për të tërhequr investime të huaja dhe për të rritur tregtinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos