Skena kaotike janë regjistruar në Nju-Jork ndërsa njerëzit mbanin radhën për të blerë orën e re të prodhuar në bashkëpunim nga dy emrat e mëdhenj të industrisë, Swatch dhe Audemars Piguet, të quajtur “Royal Pop”, raporton A2 CNN.
Një turmë jashtëzakonisht e madhe njerëzish u mblodhën në të shtunën në një qendër tregtare në Long Island, Nju-Jork dhe shpejt gjërat morën për keq.
Sipas raportimeve të para, situata doli jashtë kontrollit kur blerësit e entuziazmuar filluan të shtyheshin, duke krijuar skena të ngjashme me një revoltë. Për shkak të rrezikut të lartë dhe sjelljes së turmës, forcat e policisë u thirrën me urgjencë në vendngjarje. Pamjet e siguruara nga CNN nga vendi i ngjarjes tregojnë momente dramatike ku oficerët e policisë përdorin spray me piper për të shpërndarë turmën e egërsuar. Deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nëse ka pasur të lënduar nga ky incident.
Për shkak të sigurisë së cenuar, kompania Swatch u detyrua ta anulojë menjëherë eventin. Aktualisht mbetet ende e paqartë nëse aktiviteti do të ribëhet.
Çmimi i orës në dyqanet me pakicë është rreth 400 dollarë, por për shkak të kërkesës së lartë, vlera e saj në tregun e zi ka shkuar deri në 6000 dollarë. (A2 Televizion)