65-vjeçarja që sfidon moshën, prej 17 vitesh në palestër

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 09:10 | Lifestyle

Merita Kurti, një gjyshe 65-vjeçare nga Tirana, është shembulli më i mirë se mosha nuk është pengesë për një jetë aktive dhe të shëndetshme. Prej 17 vitesh, ajo e ka kthyer palestrën në pjesë të përditshme të jetës së saj.

Në një intervistë për emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, Kurti tregoi se gjithçka nisi pas problemeve me shpinën. “Nisa palestrën pasi kisha dhimbje mesi. Nga aty fillova sportin dhe tani jam shumë mirë. Nuk kam asnjë dhimbje, nuk marr asnjë ilaç”, u shpreh ajo.

Merita theksoi se në fillim u fokusua te ushtrimet kardio, ndërsa tani preferon aerobinë, e cila sipas saj i ka dhënë më shumë energji dhe gjallëri. Ajo shkon në palestër pesë herë në javë, nga e hëna në të premte, dhe qëndron dy orë në çdo seancë.

“Unë jam më e madhja këtu në palestër, nuk ka sa unë,” tha ajo me humor, duke shtuar se sporti i ka ndryshuar jetën. Për të, palestra është sekreti i vitalitetit dhe i një shëndeti pa ilaçe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos