
Një person është gjobitur me 50 mijë korona norvegjeze, rreth 5300 dollarë, pasi përdori borinë e fuqishme të një anijeje për të zgjuar një ari polar nga gjumi, shkruan A2 CNN. Ngjarja ndodhi në fillim të gushtit, në ishujt Svalbard të Norvegjisë, kur një anije po lundronte në një fjord në veri të arkipelagut, në Arktik.
Sipas guvernatorit të Svalbardit, Lars Fause, personat në bord vunë re një ari polar duke fjetur në tokë. Një prej tyre përdori më pas borinë e anijes, e cila lëshon një tingull të fuqishëm me frekuencë të ulët, duke e zgjuar kafshën. Ariu u largua dhe shkoi në një zonë tjetër.
Autoritetet e konsideruan veprimin të qëllimshëm dhe si një shqetësim të panevojshëm për kafshën. Personi përgjegjës ka pranuar të paguajë gjobën.

Legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit në Svalbard ndalon shqetësimin, joshjen ose ndjekjen e panevojshme të arinjve polarë. Rregullat përcaktojnë gjithashtu se njerëzit nuk duhet t'i afrohen më shumë se 300 metra një ariu polar nga korriku deri në shkurt. Gjatë periudhës mars-qershor, kur zhvillohet zakonisht sezoni i çiftëzimit, distanca minimale rritet në 500 metra.
Gjuetia e arinjve polarë në Svalbard është e ndaluar që prej vitit 1973, kur specia mori status të mbrojtur.
Sipas vlerësimeve, rreth 3 mijë arinj polarë jetojnë në rajonin e Svalbardit dhe Detit Barenc. Rreth 300 prej tyre qëndrojnë gjatë gjithë vitit në arkipelag, ndërsa të tjerë migrojnë drejt territoreve të largëta të Arktikut rus. (A2 Televizion)