Është zbuluar së fundmi dieta strikte e yllit të futbollit botëror, Cristiano Ronaldo, në të cilën, përveç përbërësve të zakonshëm si mishi i pulës, perimet dhe peshku, vihet re eliminimi i plotë i qumështit, si dhe sheqerit dhe brumrave.
Ish-kuzhinieri personal i portugezit, Giorgio Barone, zbuloi që karbohidratet, të cilat i duhen çdo futbollisti, ai i merr vetëm përmes perimeve, dhe jo përmes produkteve që kanë miell, si buka apo makaronat. Sa për qumështin, Baronte tha: “Jemi e vetmja specie që pi qumështin e një kafshe tjetër. Për më tepër deri në moshën 50-60 vjeç”
Por fizioterapisti Ilvi Begolli, mendon se kjo dietë strikte e Ronaldos nuk aplikohet në masë të gjerë të futbollistët.
“Patjetër që mund ta ndjekin futbollistët profesionistë. Ne kemi edhe në kombëtare dhe në ekipet tona dieta të implementuara nga dietologë dhe nutricionistë. Por një dietë vetëm me peshk dhe produkte proteinike nuk është shumë korrekte për sportistët, sepse, pa karbohidrate nuk mund të ketë performancë”, tha Begolli në “Dita jonë” në A2 CNN.
“Pra, kjo duket si një dietë e ekzagjeruar, një dietë që ndoshta nuk i shërben plotësisht sportistit, pavarësisht se mund të duket se i ka shërbyer Ronaldos për fizikun që ka. Ka edhe sportistë të tjerë në moshën e tij që vazhdojnë të luajnë në nivele të larta, si Luka Modrić, Zlatan Ibrahimović apo Gianluigi Buffon, i cili ka luajtur edhe mbi moshën 43-vjeçare. Edhe Lionel Messi vazhdon të jetë aktiv, pak a shumë në të njëjtën grupmoshë.
Këta lojtarë performojnë në nivele të larta dhe tregojnë se nuk ka vetëm një model të vetëm ushqimi apo përgatitjeje fizike. Sigurisht, Cristiano Ronaldo është një figurë shumë e fuqishme në marketing dhe çdo gjë që lidhet me të tërheq më shumë vëmendje, por kjo nuk do të thotë se dieta e tij është ajo më e përshtatshmja për çdo futbollist.
Para çdo ndeshjeje, një nga gjërat kryesore që bëjmë është t’i japim sportistit, rreth një orë e gjysmë përpara, një vakt me makarona, të cilat janë burim i rëndësishëm karbohidratesh dhe ndihmojnë drejtpërdrejt në performancën fizike gjatë lojës”. (A2 Televizion)