
Të ndodh shpesh të hysh në një dhomë dhe të harrosh pse shkove aty? Ky fenomen i njohur si “efekti i pragut” (Doorway Effect) nuk lidhet domosdoshmërisht me problemet e kujtesës, por me mënyrën si funksionon truri ynë, shkruan A2 CNN.
Sipas studimeve të Gabriel Radvansky, truri nuk i ruan kujtimet si një rrjedhë të pandërprerë, por i ndan ato në “episode”. Kalimi nga një ambient në tjetrin, si p.sh. nga salloni në kuzhinë, shërben si një sinjal për “mbylljen” e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri, përcjell A2 CNN.
Në këtë proces, truri “pastron” memorien e përkohshme për t’i bërë vend informacionit të ri. Nëse qëllimi që kishe (p.sh. të marrësh çelësat) nuk është fiksuar mirë në kujtesë, ai mund të humbasë sapo ndryshon ambienti, raporton A2 CNN.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk është një dobësi, por një mekanizëm efikas që ndihmon në shmangien e mbingarkesës mendore. Fenomeni bëhet më i dukshëm kur jemi të lodhur ose të shpërqendruar.
Për ta shmangur, rekomandohet përdorimi i teknikës së vizualizimit. Imagjino veprimin që do të kryesh (p.sh. marrjen e çelësave) ndërsa lëviz nga një dhomë në tjetrën. Kjo ndihmon trurin ta mbajë aktiv qëllimin dhe të mos e “fshijë” gjatë kalimit të pragut.
(A2 Televizion)